Pse ky fjalor
sharjesh dhe mallkimesh? Përgjigjja nuk më duket fort e vështirë: Në parim, një fjalor (siç e shpreh qartë vetë termi “fjalor” apo “fjalës”) duhet të përmbajë patjetër fjalët që një popull përdor gjatë jetës, si në të folur, ashtu edhe në të shkruar, apo jo? Shkurt e thjesht, sharjet e mallkimet – qofshin fjalë, togfjalësha, proverba, apo edhe fjali – janë, në fund të fundit, pasuri e një gjuhe, folklori, kulture, populli, pra e një kombi, aq më tepër që ato kanë një denduri jo të vogël përdorimi nga tërë shtresat e shoqërisë.
Përveç kësaj, është fakt tashmë që në vende të ndryshme janë botuar fjalorë të ngjashëm – sharjesh, fjalorë erotikë, apo të natyrave të tjera specifike – çka e dëshmon lehtësisht një kërkim i thjeshtë në internet.
Atëherë, përse të mos botohej edhe në Shqipëri një fjalor i
tillë?
Nga ana tjetër, qëllimi i këtij fjalori nuk është aspak të mësojë brezat e rinj si të shahen mes tyre. Përkundrazi, ai synon t’i bëjë të njohura këto fjalë e shprehje, për të shmangur përdorimin e tyre në jetën e përditshme – përdorim që, shpesh, çon në hatërmbetje, zënka, grindje, rrahje dhe ndoshta ngjarje tragjike mes njerëzish gjaknxehtë si ne, shqiptarët.
Gjithashtu, duhet kujtuar se ky fjalor përfshin edhe fjalë, të cilat, në vetvete, nuk janë domosdoshmërisht sharje, por që, në varësi të kontekstit, mund të tingëllojnë si të tilla.






