Një himn ndaj lirisë amerikane

Një himn ndaj lirisë amerikane

Nuk ndodh shpesh që zgjedhjet amerikane të ndezin debate mbi një filozof, por, që kur Mitt Romney zgjodhi Paul Ryan-in si kandidat për zëvendëspresident, bisedat kanë filluar të rrotullohen rreth ideve të shkrimtares-filozofe Ayn Rand. Thuhet që Ryan-i është një adhurues i Rand-it dhe, megjithëse është stërmunduar ta largojë veten nga e gjithë filozofia e saj, ai vazhdon të pranojë se romani “Revolta e Atlasit” është një histori e madhërishme. Ryan-i nuk është i vetmi që e mendon këtë. Që nga kriza financiare e 2008-ës, romani i Rand-it, i shkruar në 1957-ën, ka shitur më shumë se 1.5 milion kopje. Interesante është se pothuajse të gjitha ato shitje i përkasin SHBA-së. Pse kaq shumë amerikanë, duke filluar që nga studentët e deri te politikanët, flasin për romanin e Rand-it? Pse në Evropë librat e saj janë relativisht më të lënë pas dore? Përgjigjja e të dyja pyetjeve është e njëjta: “Revolta e Altasit” është një himn ndaj shpirtit amerikan. Shpirti amerikan karakterizohet nga pavarësia, individualizmi, liria politike, liria ekonomike dhe ambiciet prodhuese. Ky është kuptimi i jetës, mrekullisht i përmbajtur në sloganin e Revolucionit Amerikan: “Mos më nëpërkëmb”. Ishte i njëjti shpirt që i shtyu shumë amerikanë t’i kundërviheshin zgjerimit të ndërhyrjes dhe fuqisë shtetërore në 2008-ën. Ata jo vetëm që e shihnin “qeverinë e madhe” si një kërcënim ndaj ekonomisë, por ajo ishte një përbuzje ndaj gjithë asaj çfarë përfaqëson Amerika. Pas tetë vjetësh me Bushin dhe tetë minutash me Obamën, ata nuk e duruan më nëpërkëmbjen. Atlasi i flet këtij shpirti. Në një botë, fatkeqësisht të ngjashme me tonën, në një botë ku ekonomia po shkatërrohet, ku qeveria ndërhyn gjithmonë e më shumë dhe ku individët prodhues denoncohen dhe sfiliten për të mirën e individëve parazitë, tregohet historia e burrave dhe e grave që vendosin ta ndalojnë nëpërkëmbjen. Për më tepër, kjo histori dramatike përmban edhe një energji të fuqishme intelektuale: Atlasi i jep shpirtit amerikan një mbrojtje filozofike që nuk e ka pasur kurrë. Shpirti amerikan është akuzuar shpesh si i vogël, i pashpirt dhe materialist. “Revolta e Atlasit” i shkatërron të gjitha këto akuza. Aty tregohet se kapitalizmi është një sistem ku përfitojnë të gjithë, ku të gjithë individët janë të lirë të ndjekin lumturinë e tyre. Atlasi tregon se është e drejtë që individët të punojnë për lumturinë e tyre dhe se ata që mundohen të të “nëpërkëmbin”, të të kontrollojnë jetën, të rishpërndajnë pasurinë dhe të hipotekojnë të ardhmen tënde, janë moralisht gabim. Nuk është një rastësi pra, që popullariteti i pakufishëm i Ayn Rand-it në Amerikë nuk ka tejkaluar në Evropë. Për të njëjtën arsye, evropianët kanë përqafuar gjerësisht politikat ndërhyrëse të shtetit gjatë krizës postfinanciare, duke filluar nga infuzioni i parave në ekonomi e deri te rregulloret e reja dhe të gjera, ndërsa amerikanët u rebeluan. Çfarëdolloj slogani përfaqësoftë shpirtin evropian ndaj jetës, me siguri ai nuk është “Mos më nëpërkëmb”. Ayn Rand-i e shkroi “Revoltën e Atlasit”, të paktën pjesërisht, si një paralajmërim për amerikanët. Ajo besonte se, që në vitet 1890, Amerika kishte lëvizur nga rrënjët e saj të tregut të lirë dhe po shkiste drejt shtetëzimit (asaj do t’i ishte dukur absurd fakti i shumëbesuar që Amerika i ngjante sadopak tregut të lirë në vitet para krizës financiare). Për ta ndaluar këtë lëvizje, amerikanët duhet të përkthenin shpirtin e tyre individualist në një program ideologjik të saktë, një program që lartësonte individualizmin dhe kapitalizmin “laissez-faire” si ideale morale e politike. Për t’ia dalë mbanë në këtë detyrë, argumentonte Rand-i, amerikanët duhet të dyshojnë dhe të përbuzin idenë aliene të altruizmit. Altruizmi është doktrina e Botës së Vjetër, që thotë se është detyra jote të jetosh për të tjerët dhe të sakrifikosh interesat e tua vetjake për ta. Në një mënyrë apo në një tjetër, kjo doktrinë morale ka qenë justifikimi i çdo programi social. Thuhet se njerëzit e tjerë kanë nevojë që t’u paguhet pensioni apo shëndeti i tyre, prandaj ata kanë të drejtë t’i marrin këto lekë nga ti. Përndjekja individuale e lumturisë kundër altruizmit: kjo është zgjedhja para së cilës gjendet sot Amerika. Megjithëse Rand-i po i fliste kryesisht amerikanëve, ajo nuk po u fliste vetëm atyre. Ajo mendonte se shpirti i Amerikës është i hapur ndaj çdo individi të gatshëm të mendojë. Sot, teksa shtetet evropiane po ndërhyjnë gjithmonë e më shumë në ekonomi, ai shpirt dhe idetë e “Revoltës së Atlasit” janë të nevojshme më shumë se kurrë. (Don Watkins, Ayn Rand’s Atlas Shrugged: a paean to American liberty, “The Guardian”, 17 gusht 2012)